Policia e Fierit ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike brenda një banese në fshatin Vadhizë, të organizuar në formën e një laboratori të mbyllur me ndriçim artificial.
Në pranga kanë përfunduar dy persona: pronari i banesës, Isa Gashi, dhe punonjësi i OSHEE-së, Ramis Malaj, i dyshuar për përfshirje në aktivitetin kriminal përmes ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin elektrik.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi si provë materiale:
- 41 bimë narkotike të dyshuara si kanabis,
- 57 fidanë kanabisi,
- një sasi lënde narkotike të përpunuar,
- 784 fara kanabisi,
- 5 panele elektrike,
- 8 llamba ndriçimi dhe ngrohjeje,
- 2 filtra,
- 3 ventilatorë freskues,
- 2 aspiratorë,
- si dhe 18 pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivim të brendshëm.
Policia njoftoi se hetimet vijojnë për të zbuluar të përfshirë të tjerë në këtë aktivitet të paligjshëm dhe për të verifikuar nëse energjia elektrike është vjedhur përmes lidhjeve të paligjshme.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet policore dhe veprimeve gjurmuese të shpejta, finalizuan operacionin policor të koduar “Led”.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikua një banesë, në fshatin Vadhizë, e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet llambave.
Në këtë banesë është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Gjatë operacionit u arrestua autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi I. G., 63 vjeç, banues në Vadhizë, i cili kultivonte bimët në ambientet e banesës së tij.
Në vijim të veprimeve hetimore, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi R. M., 61 vjeç, banues në Patos, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 41 bimë narkotike Cannabis Sativa, 57 fidanë Cannabisi, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 784 fara kanabisi, 5 panele elektrike, 8 llamba për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra, 3 ventilatorë freskues, 2 aspirator dhe 18 pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.















