Video/Vrasje makabër në park gjatë një eventi familjar: 15-vjeçari ekzekutohet në mes të turmës

Ky është momenti tronditës kur një person i maskuar nxori armën dhe ekzekutoi në mes të ditës adoleshentin 15-vjeçar Rene Graham, gjatë një eventi festiv në parkun “Teletubbies” në Ladbroke Grove, Londër. Ngjarja ndodhi në korrik të vitit të kaluar, në një atmosferë familjare me prindër dhe fëmijë të pranishëm, pjesë e aktivitetit vjetor “Park Lime”, paraprirës i karnavaleve të Notting Hill.

Pamjet e publikuara së fundmi nga policia tregojnë sulmuesin duke ecur qetësisht drejt parkut të mbushur me njerëz, teksa nxjerr armën nga xhepi dhe qëllon drejt Rene, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ai ndjek një tjetër të ri në rrugë dhe tenton të qëllojë edhe atë, ndërsa viktima e dytë arrin të fshihet pas një BMW-je. Policia ka shpallur një shpërblim prej 20,000 £ për informacion që çon në identifikimin e autorit, duke dyshuar se ai fshihet në një “xhep të vogël të komunitetit”. Ngjarja lidhet me një luftë të përgjakshme mes dy bandave rivale të zonës: “Ladbroke Grove Boys” dhe “Harrow Road Boys”.