FLASH :

Video/Vetëm 14 vjeç, prezantohet si ‘yll’ te skuadra e Feyenoord! Lojtari i kombëtares firmos për 3 vite

Mesfushori i talentuar 14-vjeçar Lorenc Perlala ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke firmosur për tre vite me gjigantin holandez Feyenoord. Edhe pse kishte mundësinë të përfaqësonte Holandën apo Kosovën, Perlala ka zgjedhur të veshë fanellën kuqezi, duke luajtur me ekipin kombëtar U-15 të Shqipërisë.

Nga Winterswijk te Feyenoord

Perlala është lindur në Holandë nga prindër me origjinë nga Kosova. Hapat e parë i hodhi në klubin amator FC Trias në qytetin Winterswijk dhe më pas kaloi te De Graafschap, ku qëndroi për shtatë vite. Performanca e tij ra në sy dhe së fundmi është prezantuar si një nga prurjet më premtuese të akademisë së Feyenoord.

Sipas njoftimit të klubit, Perlala do të aktivizohet fillimisht me kategorinë U-16, ndërsa konsiderohet si një mesfushor me perspektivë dhe cilësi të larta teknike.

Me zemër kuqezi

Në qershor të këtij viti, Perlala veshi për herë të parë fanellën e Shqipërisë në ndeshjen miqësore kundër Zvicrës. Edhe në prezantimin zyrtar nga Feyenoord nuk munguan simbolet kombëtare shqiptare, duke treguar lidhjen e fortë të lojtarit me origjinën e tij.

Zgjedhja për të përfaqësuar Shqipërinë është përshëndetur gjerësisht nga tifozët shqiptarë, të cilët tashmë ndjekin me interes rrugëtimin e një tjetër talenti të ri që premton për të ardhmen e futbollit shqiptar.