Një grua e re u përjashtua me forcë nga një avion i linjës Jetstar, pasi dyshohet se vapoi gjatë fluturimit dhe ofendoi një familje që u ankua për sjelljen e saj. Ngjarja ndodhi të shtunën në një fluturim nga Vanuatu drejt Sidneit, ndërsa policia federale australiane (AFP) priti avionin në pistë dhe e shoqëroi gruan jashtë në sy të një kabine të mbushur plot.
Pasagjerët brohoritën dhe duartrokitën ndërsa ajo u largua e shoqëruar nga tre oficerë. Sipas dëshmitarëve, gruaja pozoi, buzëqeshi dhe filmoi vetë arrestimin, duke u përpjekur të tërhiqte vëmendjen. Ajo u akuzua për sjellje të çrregullt dhe shqetësuese gjatë fluturimit, ishte në gjendje të dehur dhe u tregua agresive ndaj ekuipazhit dhe pasagjerëve. AFP konfirmoi se ajo do të përballet me dy akuza në gjykatë, për prishje rendi në avion dhe krijim të shqetësimit publik.



