Një skenë paniku është shënuar në bordin e një avioni të kompanisë China Southern Airlines, kur një bankë energjie shpërtheu vetëm 15 minuta pas ngritjes, duke mbushur kabinën me tym të dendur.
Ngjarja ndodhi më 31 maj, në fluturimin CZ6850 nga Hangzhou drejt Shenzhen-it, në Kinë. Pamjet filmike të publikuara në rrjete tregojnë momentet dramatike kur tymi i dendur del nga një dollap sipërfaqësor, teksa pasagjerët fillojnë të bërtasin dhe të hapin dollapin për të zbuluar burimin e rrezikut: një bateri aparati fotografik dhe një powerbank që po tymosnin.
Një stjuardesë ndërhyri me një zjarrfikës të vogël për të shuar flakët, ndërsa piloti vendosi të kthehej menjëherë në aeroportin ndërkombëtar të Hangzhou, ku avioni uli me sukses vetëm 15 minuta pas nisjes.
Një zëdhënës i kompanisë tha për mediat lokale:
“Ekuipazhi veproi me shpejtësi dhe shmangu rrezikun. Për arsye sigurie, fluturimi u kthye menjëherë në aeroport dhe u ul pa probleme. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar.”
Kompania njoftoi se do të ndihmojë pasagjerët e prekur nga vonesa dhe rikujtoi rregullat e sigurisë për pajisjet elektronike, duke u bërë thirrje udhëtarëve të shmangin përdorimin e bankave të energjisë gjatë fluturimeve.
Ky nuk është rasti i parë në Azi. Vietnam Airlines dhe VietJet Air kanë ndaluar përdorimin e këtyre pajisjeve më herët këtë vit, ndërsa shumë kompani ajrore në botë kërkojnë që powerbank-et të jenë jashtë çantave dhe në pamje gjatë gjithë udhëtimit.










