FLASH :

Video/ Turist i huaj rrihet brutalisht nga stafi i një bari në Tajlandë pas refuzimit për të paguar faturën e fryrë – 9 të arrestuar

Një turist është dhunuar brutalisht nga stafi i një bari në Tajlandë pasi refuzoi të paguante një faturë të fryrë prej 460 paundësh (20,000 baht) për pijet që kishte konsumuar. Ngjarja ka ndodhur në “Diamond Karaoke Bar” në qytetin Chiang Mai mbrëmjen e së mërkurës dhe ka ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale.

Pamje tronditëse tregojnë disa punonjës të lokalit duke i grisur këmishën turistit 26-vjeçar pranë hyrjes së barit, teksa disa e mbajnë dhe të tjerë e godasin me shqelma, ndërsa ai lutet: “Do të paguaj me para në dorë, e betohem!”. Sipas policisë, turisti ishte i vetëm dhe në gjendje të dehur në momentin e incidentit, ndërsa ka pësuar vetëm lëndime të lehta. Konflikti nisi brenda lokalit, kur ai kërkoi të largohej dhe të fliste më vonë për faturën, por stafi nuk e pranoi këtë.

Policia tajlandeze ka arrestuar nëntë persona: Theerasak Rattanaboontawee (24), Siladol Charoenchai (20), Naruerong Mueanchan (28), Apirchart Kiatnet (22), Adisarn Surin (22), Sakda Tawong (22), Santi Khamnang (18), Somsri Armo (28) dhe Worapoj Sukittikul (23), ky i fundit është vetëdorëzuar. Ata janë akuzuar për sulm fizik, operim të një lokali pa licencë dhe shitje të alkoolit jashtë orarit ligjor. Bari është mbyllur përkohësisht, ndërsa banorët lokalë dhe përdorues të rrjeteve sociale paralajmërojnë turistët të jenë të kujdesshëm ndaj lokaleve “të dyshimta”, pasi praktikat e mashtrimit me fatura të fryra janë kthyer në fenomen të përhapur në zonat turistike të Tajlandës.