FLASH :

Video/I riu hyn me shpejtësi te rotondo e Kolonjës dhe përfundon në kanal, automjeti bëhet copash

Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrethrrotullimin e Kolonjës, në aksin Fier–Lushnje, një pikë e njohur për numrin e lartë të aksidenteve me pasojë vdekjen.

Rreth orës 04:30, një mjet tip Volkswagen Golf, me targa AB 789 RA, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal kullues pranë rrethrrotullimit. Si pasojë, ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, një 35-vjeçar me banim në Tiranë.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse të Lushnjës, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e automjetit nga kanali, ndërsa policia shkencore po kryen dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin për shkak të përgjumjes, duke qenë në lëvizje me shpejtësi të lartë, çka ka sjellë thyerjen e barrierës mbrojtëse dhe përplasjen fatale.

Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë nëse viktima ka humbur jetën nga përplasja apo është mbytur pas rënies në kanal.

Trupi i pajetë është transportuar në morgun e spitalit të Lushnjës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.