Një aksident tragjik në qytetin spanjoll të Malagës i ka marrë jetën tre shtetasve shqiptarë dhe një oficeri policie, në një ngjarje që ngjan me një skenar filmi aksion.
Sipas raportimeve nga mediat lokale, përfshirë “Diario SUR”, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, kur tre shqiptarë, të dyshuar si pjesë e një bande kriminale që merrej me grabitjen e farmacive, tentuan të vidhnin një farmaci në zonën Puerto de la Torre. Ata hynë brenda pasi kishin manipuluar sistemin e alarmit dhe tentuan të grabisnin sirtarin e parave me vare, por nuk arritën të merrnin asgjë për shkak të sigurimit të mirë të pajisjes.
Pasi dështuan, grabitësit u larguan me shpejtësi me një makinë me motor të fuqishëm, duke u përballur menjëherë me ndjekjen nga Policia Kombëtare dhe ajo Lokale. Rreth orës 5:30 të mëngjesit, ndodhi përplasja fatale në një dalje të autostradës A-7 në drejtim të Torremolinosit, ku makina e shqiptarëve goditi përballë automjetin e një oficeri që po kthehej në shtëpi pas turnit të natës.
Të katërt personat humbën jetën në vend. Autoritetet dyshojnë se automjeti i shqiptarëve lëvizte në drejtim të kundërt në autostradë gjatë arratisë.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë, ku grabitjet e farmacive janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, veçanërisht në qytetin e Malagës. Policia spanjolle po heton lidhjet e bandës me grabitje të tjera të ngjashme në zonë, përfshirë raste të regjistruara më herët në prill dhe maj, ku autorët përdorën armë të ftohta dhe dhunë për të çaktivizuar sistemet e sigurisë dhe për të vjedhur para në dorë.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të identifikojnë me saktësi viktimat dhe të shpjegojnë rrethanat e sakta të aksidentit.