Ky është momenti tronditës kur protestues anti-emigrantë në Ballymena filmuan veten duke i vënë flakën një shtëpie, ndërsa bërtisnin: “Ikni, të huaj!”.
Të paktën dy burra me maska janë filmuar teksa përpiqeshin të digjnin një banesë të bashkëngjitur (terraced house), në mes të trazirave që kanë përfshirë Irlandën e Veriut pas arrestimit të dy adoleshentëve që flasin rumanisht, të akuzuar për tentativë përdhunimi ndaj një vajze vendase.
Njëri nga zjarrvënësit dëgjohet vazhdimisht duke bërtitur “Ikni, të huaj!”, ndërsa alarmi i tymit në kuzhinë bie për shkak të disa zjarreve të vogla të ndezura brenda.
Ata bërtitën “po!” teksa dolën nga dera, duke marrë në mënyrë të çuditshme edhe një zierëse uji (kettle) nga brenda. Jashtë, turma e priste me maska dhe kapuçë, duke i përshëndetur me brohorima.


Videoja u shfaq pas një incidenti të ngjashëm ku protestues të tjerë kishin transmetuar drejtpërdrejt në TikTok djegien e një shtëpie.
Mbrëmjen e kaluar, trazirat anti-emigrantë arritën pikën kulmore, pasi një qendër sportive që ofronte strehim urgjent për emigrantë rumunë dhe familje të tjera u sulmua dhe iu vu flaka.
Rreth një duzinë huliganësh me kapuç dogjën Qendrën Sportive Larne në qarkun Antrim, e cila besohet të ketë strehuar persona për t’i mbrojtur nga dhuna raciste e këtyre ditëve. Larne ndodhet rreth 30 kilometra në lindje të Ballymena, ku mbrëmë pati trazira të tjera.
Policia përdori topa me ujë, ndërsa një protestues u filmua duke u qëlluar në pjesën intime me një plumb gome pasi sulmoi një rresht makinash policie që kishin bllokuar rrugën.
Ministri i Komuniteteve nga partia DUP, Gordon Lyons, është akuzuar për nxitje të tensioneve pasi u zbulua se kishte shpërndarë në rrjetet sociale vendndodhjen e strehimores, përpara se ajo të digjej. Ai është referuar për hetim pranë Komisionerit të Standardeve të Kuvendit të Irlandës së Veriut.
Megjithatë, besohet se personat që kishin kërkuar strehim në qendër ishin zhvendosur në një strukturë tjetër emergjente përpara se të shpërthente zjarri.
Ngjarja ndodh në një kohë kur urrejtja po përhapet me ritme alarmante në rrjetet sociale, ku “protestues” nxisin hapur që huliganët të ndjekin dhe sulmojnë emigrantët rumunë.
Si pasojë, dhjetëra banorë të qarkut Antrim kanë jetuar ditë frike, me disa familje dhe biznese që janë ndjerë të detyruara të vendosin shenja në dyert e tyre për të shpallur kombësinë. Pankarta të tilla shkruajnë: “Këtu jeton filipinas”, ndërsa disa banorë kanë vendosur edhe flamurin britanik, në përpjekje për të mbrojtur veten nga terrori që po përshkon rrugët – dhe që u përshkallëzua më tej mbrëmjen e së mërkurës.
Kaosi në qendrën sportive nisi kur rreth 50 persona panë një grup që theu xhamat, dogji kazanët e mbeturinave dhe i hodhi në hyrje të godinës.
Më pas, një zjarr i fuqishëm shpërtheu nga dhoma me xham, e cila tashmë ishte shkatërruar nga tulla dhe mjete të forta.
Vandalizmi ndërpreu një kurs yoga që po mbahej brenda, përpara se një tullë të përplasej në dritare, duke tmerruar stafin dhe pjesëmarrësit.