Momente tensioni dhe paniku janë regjistruar në një avion të linjës Emirates, kur një pasagjer i dehur shpërtheu në ofendime dhe kërcënime ndaj ekuipazhit dhe udhëtarëve gjatë një fluturimi nga Newcastle drejt Dubait.
Incidenti ndodhi më 27 shkurt 2023, kur pas rreth katër orësh udhëtim, një stjuardesë refuzoi t’i shërbente pasagjerit një pije tjetër, pasi ai tashmë ishte dukshëm i dehur. Në atë moment, burri shpërtheu në ofendime, duke e quajtur stjuarden një “stupid b”, dhe më pas kërcënoi edhe një tjetër udhëtar duke i thënë: “Do ta fshij buzëqeshjen nga fytyra jote.”
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur situata doli jashtë kontrollit. Të tronditur, disa pasagjerë u detyruan të ndërhyjnë për të ndihmuar ekuipazhin. Burri u përplas në dyshemenë e avionit dhe iu lidhën duart me kabllo zip-tie, ndërsa vijonte të bërtiste dhe shante.
Një pasagjere, India Sherwin, 20 vjeç, tha:
“Ishte një përvojë e frikshme dhe surreale, sidomos në një hapësirë të kufizuar mijëra metra mbi tokë. Ekuipazhi reagoi shpejt dhe me profesionalizëm.”
Pas uljes në Dubai, pasagjeri u mor menjëherë në ndalim nga policia vendase.
Një zëdhënës i Emirates konfirmoi incidentin:
“Pasagjeri u neutralizua nga ekuipazhi dhe iu dorëzua autoriteteve lokale. Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit është prioriteti ynë absolut dhe nuk do të komprometohet kurrë.”