Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë goditi këtë të mërkurë rajonin jugperëndimor të Stambollit, duke shkaktuar panik në mesin e qytetarëve. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në Turqi njoftoi se epiqendra e tërmetit ishte në Detin Marmara, rreth 40 kilometra nga metropoli turk dhe në një thellësi prej 10 kilometrash.
Lëkundjet u ndjenë gjerësisht në disa rajone të vendit, duke bërë që shumë banorë të braktisin banesat nga frika e pasgoditjeve. Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo viktima, ndërsa autoritetet po vazhdojnë monitorimin e situatës.
Turqia ndodhet në një nga zonat më aktive sizmike në botë. Kujtojmë se në shkurt të vitit 2023, një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.8 tronditi jugun e vendit, duke vrarë mbi 53 mijë persona në Turqi dhe më shumë se 6 mijë të tjerë në Sirinë fqinje. Mijëra ndërtesa u shkatërruan në atë që u konsiderua një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore të shekullit në rajon.
Autoritetet turke u kanë bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare në rast pasgoditjesh të tjera.







