FLASH :

Video/Të tmerruar dhe të pafuqishëm: Krokodili tërheq trupin e një adoleshenti mes britmave të shokëve – një tjetër sulm fatal në brigjet e lumit

Pamje tronditëse kanë kapur momentin kur një krokodil i madh tërheq trupin e pajetë të një 15-vjeçari, i cili u sulmua ndërsa po lante këmbët në një lumë së bashku me shokët e klasës.

Viktima, Muhammad Nur Akbar, ishte duke peshkuar me miqtë në brigjet e një lumi, kur vendosi të hyjë në ujërat e turbullta për t’u freskuar. Edhe pse paralajmërohet nga shokët, brenda pak sekondash, një krokodil shpërthen nga uji dhe i kafshon kofshën, duke e tërhequr dhunshëm në thellësi.

Shokët e tij tentuan ta shpëtonin, duke e kapur nga bluza dhe u përfshinë në një betejë të tmerrshme trup më trup me kafshën, por nuk ia dolën ta ndalonin.

Ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje pas raportimit të banorëve dhe, pas disa orësh, lokalizuan krokodilin që ende mbante trupin e adoleshentit në gojë. Sipas autoriteteve lokale, krokodili u qëllua për ta detyruar të lëshonte trupin, i cili më pas iu dorëzua familjes për varrim.

Ky është sulmi i dytë fatal brenda pak ditësh, pasi një i moshuar u sulmua dhe u tërhoq në mënyrë të ngjashme nga një krokodil në të njëjtën zonë, ndërsa banorët tentuan të ndërhynin me shkopinj për ta shpëtuar – pa sukses.

Autoritetet kanë ndaluar aktivitetet pranë lumit dhe paralajmërojnë rrezik të shtuar nga sulmet e krokodilëve, që po afrohen gjithnjë e më shumë pranë zonave të banuara për shkak të shpyllëzimit, humbjes së habitatit dhe mungesës së ushqimit në natyrë.