FLASH :

Video/ Stuhi të fuqishme godasin Spanjën: rrugët kthehen në lumenj, breshër si top golfi shkatërron makina – turistët britanikë në panik

Zona turistike të njohura të Spanjës janë përfshirë nga një seri stuhish të egra që kanë kthyer rrugët në lumenj të rrëmbyeshëm, ndërsa breshëri i dendur ka mbuluar rrugët me akull dhe ka shkatërruar automjete. Pamjet dramatike nga Murcia tregojnë ujë të turbullt që përmbyt shtëpi dhe biznese, ndërsa në Caravaca de la Cruz, qytet i shenjtë për pelegrinët, breshër me madhësinë e topave të golfit ka dëmtuar makina dhe ndërtesa.

Të paktën 20 banorë u evakuuan dhe kaluan natën në një palestrë komunale, ndërkohë që qytete si Calasparra, Casas Navarro dhe Moratalla janë ndër më të goditurit. Në Benidorm dhe Alicante, turistët britanikë janë detyruar të strehohen për shkak të stuhive të forta me rrufe dhe bubullima, që lanë plazhet dhe baret të zbrazura. Agjencia shtetërore AEMET vendosi alarmin portokalli për disa zona, ndërsa reshjet pritet të vazhdojnë deri të premten.

Stuhitë erdhën pas një vale të gjatë të nxehti, ndërkohë që temperaturat kanë rënë me 10°C nën mesataren. Paralelisht, jugu i Spanjës po përballet me zjarre të shumta – vetëm këtë vit janë djegur mbi 21 mijë hektarë tokë. Autoritetet besojnë se kjo është vera më ekstreme në dekada.