FLASH :

Video/Skandal në zjarrin festiv: Digjet efigji raciste e emigrantëve, nis hetimi për urrejtje

Policia e Irlandës së Veriut (PSNI) ka nisur një hetim për krim urrejtjeje pasi një efigji raciste që përfaqësonte emigrantë me jelek shpëtimi u dogj mbi një zjarr të lartë festiv në fshatin Moygashel, pranë Dungannon. Zjarri ishte pjesë e festimeve tradicionale të 12 Korrikut, të shoqëruara zakonisht me parada dhe bonfire nga komuniteti protestant loyalist.

Pamjet tregojnë se mbi grumbullin e druve ishin vendosur postera me mbishkrime “Stop the boats” dhe “Veterans before refugees”, ndërsa në majë ishte ngjitur edhe flamuri irlandez, duke e bërë ngjarjen edhe më të tensionuar politikisht.

Pavarësisht thirrjeve për ta hequr, efigjia u dogj të enjten në mbrëmje rreth orës 23:00. Drejtori i Amnesty International në Irlandën e Veriut, Patrick Corrigan, e quajti veprimin “të neveritshëm dhe të turpshëm”, ndërsa shtoi se kjo vjen vetëm pak javë pas sulmeve ndaj familjeve emigrante që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre pas zjarrvënieve.

Edhe përfaqësues të politikës e dënuan incidentin. Deputeti i Sinn Féin, Colm Gildernew, tha se “këto efigji ishin krijuar për të çnjerëzuar ata që kërkojnë një jetë më të mirë në vendin tonë” dhe i cilësoi veprimet si të nxitura nga “urrejtja e djathtë ekstreme dhe racizmi i pastër”.

Në mbrojtje të zjarrit reagoi aktivisti loyalist Jamie Bryson, i cili e përshkroi atë si një formë “proteste artistike”, duke shtuar se tema e këtij viti ishte migracioni ilegal në masë.

Incidenti në Moygashel ndodh në një klimë gjithnjë e më të tensionuar në Irlandën e Veriut, ku vetëm muajin e kaluar u shënuan protesta të dhunshme anti-emigracion në Ballymena, duke rezultuar në mbi 100 oficerë të plagosur dhe sulme me bomba molotov ndaj policisë dhe komuniteteve emigrante.

Autoritetet po hetojnë ngjarjen si incident urrejtjeje, ndërsa presioni publik po rritet për të ndëshkuar organizatorët dhe për të frenuar valën në rritje të racizmit dhe ksenofobisë në vend.