Një ngjarje e pazakontë dhe kaotike ka tronditur klientët e një supermarketi Morrisons në Manchester, ku një grua në karrocë me rrota u shndërrua në protagonisten e një skene dhune të paprecedent. E gjithë situata, e cila u zhvillua të martën në mbrëmje rreth orës 18:15 në zonën e vetëshërbimit të marketit në Irwell Place, përfundoi me ndërhyrjen e policisë dhe arrestimin e gruas për disa vepra penale.
Sipas dëshmitarëve, gjithçka nisi kur gruaja, pa ndonjë provokim të qartë, nisi të ulërinte dhe të hidhte produkte drejt klientëve. “Ti budallaqe!” – dëgjohet duke bërtitur në video, përpara se të rrëmbejë një produkt dhe ta hedhë mbi barrierat e vetëshërbimit, duke shkaktuar panik te klientët përreth. “Kjo është e papranueshme”, thërrasin disa prej tyre ndërsa tentojnë të largohen.
Në një moment, ajo ngrihet nga karroca dhe me një lëvizje të dhunshme me këmbë, rrëzon përtokë një vajzë të re që mbante një tullumbace me mbishkrimin “Gëzuar Ditëlindjen”. Kjo ishte pika kulmore që e detyroi sigurimin privat të supermarketit të ndërhynte me forcë për ta shtrirë në tokë. Por edhe pasi u ndalua, gruaja vazhdoi të bërtiste: “Mos guxo të më bësh këtë më kurrë!”, dhe tentoi të godiste edhe një klient tjetër.
Sipas raportimeve nga Manchester Evening News, dëshmitarët e shumtë kanë mbetur të shokuar, ndërsa një prej tyre deklaroi: “Ajo filloi papritur të hidhte gjëra dhe të ulërinte. As nuk kuptuam pse. Pastaj u ngrit dhe sulmoi një grua që thjesht po blinte një tullumbace. Ishte absurde dhe e frikshme.”
Pas njoftimit të policisë, një oficer mbërriti në vendngjarje për të vënë nën kontroll situatën, por edhe ai nuk i shpëtoi agresionit. Gruaja, e përfshirë në një krizë të dukshme, u përplas me policin duke u përpjekur ta godasë. Ajo u arrestua menjëherë dhe u shoqërua në komisariat.
Policia e Manchesterit ka konfirmuar se një grua është ndaluar për sulm fizik dhe sulm ndaj një oficeri policie. Nuk është dhënë identiteti i saj dhe nuk dihen ende arsyet që e shtynë drejt një reagimi të tillë agresiv.
Ngjarja ka ngjallur debat mbi sigurinë në ambientet publike dhe mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla, ku individë të dhunshëm mund të rrezikojnë sigurinë e qytetarëve të tjerë. Pamjet video të incidentit kanë qarkulluar me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të forta nga publiku.



