Delvina po kalon një nga ditët më të vështira për shkak të zjarreve të fuqishme që po përhapen me shpejtësi të frikshme, të ndihmuara nga temperaturat përvëluese dhe era e fortë. Pamjet e filmuara me dron tregojnë toka të tëra të shkrumbuara, me peizazhin që është kthyer në hi deri në horizont.
Flakët kanë shkrumbuar banesa e kisha, por ende nuk duhet numri se sa janë prekur. Aktualisht bëhet me dije se shefi i Komisariatit të Delvinës, Naim Lala është asfiksuar dhe tashmë ndodhet në spital. Raportohet për njerëz të tjerë të asfiksuar, por nuk dihet sa. Mësohet se në ndihmë po shkojnë edhe ambulanca nga Saranda e Delvina, ndërkohë që kërkohet mbështetje nga ushtria me forca për në terren. Në operacion për shuarjen e flakëve po punojnë dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Edhe Senica u përballën me situatë kritike. Katër banesa dhe qindra pemë frutore janë zhdukur në Senicë, ndërsa banorët u përballën me orë tmerri, në një përpjekje për të shpëtuar jetën dhe ato pak gjëra që mundën të nxirrnin nga flakët.
Në skenat dramatike të përfshira nga flakët, shihet edhe një makinë e shkrumbuar në anë të rrugës. Në zonën e fshatit Vergo janë angazhuar 60 efektivë zjarrfikës, 4 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë, ndërsa përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë me vështirësi mes tymit të dendur dhe terrenit të vështirë. Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim nga banorët për të shmangur viktima dhe dëme më të mëdha.


