Një incident i rëndë teknik ka ndodhur gjatë koncertit të fundit të Beyoncé-s në qytetin e saj të lindjes, Houston, Texas, duke u kthyer në një moment dramatik që tronditi publikun. Gjatë interpretimit të këngës “16 Carriages”, artistja po lundronte mbi turmë me një makine të kuqe fluturuese, e cila filloi të anohej rrezikshëm, duke krijuar frikë se mund ta rrëzonte në tokë.
Beyoncé, 43 vjeç, reagoi menjëherë dhe me zër të vendosur thirri: “Stop, stop, stop!”, duke alarmuar ekipin teknik. Turma mbeti në heshtje për disa sekonda, para se të shpërthente në brohoritje dhe mbështetje. Për fat të mirë, automjeti u ul me sukses dhe pa pasoja.
Ekipi i saj, Parkwood Entertainment, njoftoi menjëherë pas koncertit: “Një defekt teknik bëri që makina fluturuese, e cila përdoret nga Beyoncé për të ndjekur publikun nga afër, të anohej. Ajo u ul menjëherë dhe askush nuk u lëndua. Shfaqja vijoi pa incidente”.
Pas uljes, Beyoncé u kthye në skenën kryesore dhe e përfundoi performancën me profesionalizëm të admirueshëm. “Dua t’ju falënderoj për dashurinë tuaj. Nëse ndonjëherë rrëzohem, e di që ju do të më kapni”, u shpreh ajo para audiencës.
Ky nuk është incidenti i parë teknik që ndodh gjatë turit spektakolar “Cowboy Carter”. Në muajin maj, gjatë një shfaqjeje në Los Anxhelos, një robot i skenografisë dështoi të derdhte një pije në gotën e saj, duke e lagur krejtësisht fronin e artë ku ajo ishte ulur.
Turneu “Cowboy Carter and the Rodeo Chitlin’ Circuit Tour” ka nisur më 28 prill dhe do të zgjasë deri më 26 korrik 2025, me ndalesa në 32 stadiume në SHBA dhe Evropë.














