FLASH :

Video/Shkodër, dhjetëra vatra zjarri në 24 orë – situatë kritike digjen pishat dhe rrezikohen banesat

Gjatë 24 orëve të fundit, në qarkun e Shkodrës janë regjistruar dhjetëra vatra zjarri, shumica e të cilave janë izoluar falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse, policisë, shërbimit pyjor dhe ushtrisë. Situata më e rëndë është në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku zjarri i nisur në fshatin Xath u përhap gjatë natës në drejtim të fshatit Flet dhe zonës “Kunorë Dardhe”, duke u favorizuar nga era e fortë. Dy banesa u evakuuan, por aktualisht nuk janë në rrezik, ndërsa flakët po djegin pisha dhe bimësi të ndryshme në një terren të vështirë malor.

Në këtë operacion janë angazhuar dhjetëra forca: 9 zjarrfikës me 2 automjete dhe një autobot uji, 15 specialistë të shërbimit pyjor, 15 efektivë policie, 15 punonjës të administratës vendore dhe 50 ushtarë me mjete zjarrfikëse. Në Bashkinë Shkodër janë regjistruar 11 raste zjarri në fshatra dhe zona të ndryshme, të gjitha të neutralizuara, ndërsa në Malësinë e Madhe dhe Vau Dejës zjarret janë shuar pa dëme. Në Pukë, një vatër në fshatin Mesul mbetet aktive dhe rrezikon përhapje për shkak të erës. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë apel qytetarëve për kujdes maksimal, për të shmangur zjarret e qëllimshme apo nga pakujdesia.

Njoftimi:

Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e qarkut Shkodër janë regjistruar dhjetëra vatra zjarri, shumica e të cilave janë izoluar falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse, policisë, shërbimit pyjor dhe ushtrisë.

Bashkia Shkodër
Në këtë bashki janë shënuar 11 raste zjarri në zona të ndryshme, përfshirë fshatrat Dragoç, Postribë, Ura e Shtrejtë, Bardhaj, Dajç, Suka Dajç, Berdicë dhe lagjen Kiras në qytet. Të gjitha vatrat u shuan në kohë, duke shmangur përhapjen. Gjithashtu, është ndërhyrë në një vatër në zonën pyjore Baks–Rrjoll (Kënetë Domni), e cila aktualisht është e izoluar nga sipërfaqja ujore.
Përveç ndërhyrjeve në territorin e saj, Bashkia Shkodër dërgoi 2 automjete zjarrfikëse në ndihmë të bashkive Vau Dejës dhe Malësi e Madhe.

Bashkia Malësi e Madhe
Janë regjistruar 2 raste zjarri, në fshatin Grumirçezmë (NJA Gruemirë) dhe në malin e Hotit (NJA Kastrat). Aktualisht nuk ka vatra aktive.

Bashkia Vau Dejës
U raportuan 4 raste zjarri, ndër të cilët më problematiku ishte në fshatin Hajmel. Situata u menaxhua pa dëme në njerëz apo banesa. Të gjitha rastet u raportuan në kohë pranë AKMC-së.

Bashkia Pukë
Janë shënuar 2 raste zjarri, ku një vatër në fshatin Mesul vijon aktive. Për shkak të erës së fortë, ekziston rreziku që ajo të dalë jashtë kontrollit. Në vendngjarje ndodhet një automjet zjarrfikës me efektivë.

Bashkia Fushë-Arrëz
Situata më e rëndë është regjistruar në këtë bashki, ku vatra e nisur në fshatin Xath u përhap gjatë natës, e favorizuar nga era e fortë, duke depërtuar në fshatin Flet dhe zonën e quajtur “Kunorë Dardhe”.
Zjarri ndodhet në terren malor, çka e vështirëson ndërhyrjen nga toka, dhe po digjen kryesisht pisha e bimësi e ndryshme. Dy banesa u evakuuan dje, por aktualisht nuk janë në rrezik.

Forcat e angazhuara në Fushë-Arrëz:

9 zjarrfikës, 2 automjete zjarrfikëse dhe 1 autobot uji (MZSH Fushë-Arrëz)
10 punonjës të sektorit të shërbimeve
15 specialistë të shërbimit pyjor me 2 fuoristrada
15 punonjës të Komisariatit të Policisë Pukë
15 punonjës nga administrata e Bashkisë Fushë-Arrëz dhe NJA Blerim
50 ushtarë me 2 automjete zjarrfikëse
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë qarkun, ndërsa apelojnë për kujdes maksimal për shmangien e zjarreve të qëllimshme apo nga pakujdesia.