Një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike është goditur nga Policia e Fierit, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive. Operacioni i koduar “Moment”, i zhvilluar nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, ka çuar në arrestimin në flagrancë të një 53-vjeçari që shiste doza heroine në qytetin e Fierit.
Gjatë operacionit, në lagjen “Liri Gero”, u kap në flagrancë shtetasi Adriatik Mone, 53 vjeç, banues në Fier, teksa i shiste lëndë narkotike të dyshuar si heroinë, në doza, shtetasit F. D., 37 vjeç, banues në Patos, ndaj të cilit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Nga kontrolli fizik dhe ai në banesën e të arrestuarit, policia sekuestroi: Sasi lënde narkotike Heroinë të ndarë në doza të gatshme për shitje, sasi lënde narkotike Cannabis në formë çokollate, një peshore elektronike, një krehër pistolete, shuma parash të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale dhe automjeti i përdorur nga 53-vjeçari për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet si rezultat i hetimit me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Moment”.
Vihet në pranga një 53-vjeçar që shiste doza Heroine në qytetin e Fierit.
53-vjeçari u kap në flagrancë duke i shitur doza një shtetasi. Procedohet penalisht blerësi.
Sekuestrohen doza Heroine, një sasi kanabisi në trajtë çokollate, peshore elektronike, krehër pistolete, që i posedonte 53-vjeçari, dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e tij kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, finalizuan operacionin policor të koduar “Moment”, për goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta.
Gjatë operacionit, në lagjen “Liri Gero”, Fier, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin A. M., duke i shitur lëndë narkotike Heroinë, në doza, shtetasit F. D.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. M. dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike Heroinë të ndarë në doza gati për shitje, një sasi lëndë narkotike Cannabis në trajtë çokollate, një krehër pistolete, 1 peshore elektronike dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti që ky shtetas përdorte për këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 53 vjeç, banues në Fier, dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. D., 37 vjeç, banues në Patos.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.