Një sherr masiv ka shpërthyer ne liqenin e Winterset, në Polk County të Floridës, duke tronditur pushuesit dhe familjet që ndodheshin aty për fundjavë. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një grup personash pa bluzë që godasin dhunshëm njëri-tjetrin, ndërsa dy prej tyre mbetën pa ndjenja – njëri prej të cilëve u pa duke notuar me fytyrën poshtë në ujë, në prani të fëmijëve të tmerruar.
Sipas autoriteteve, ngjarja ishte kulmi i një problemi të përsëritur këtë verë me grupe vizitorësh që hyjnë pa leje në pronat private përreth liqenit, duke shkaktuar trazira dhe sjellje të papranueshme. Policia arrestoi shtatë burra dhe një të mitur, të gjithë të akuzuar për hyrje pa leje, pjesëmarrje në sherr, sjellje të çrregullt dhe pjesëmarrje në trazira. Sherifi lokal paralajmëroi se patrullimet do të shtohen dhe çdo shkelës do të përballet me masa të rrepta ligjore për të ruajtur sigurinë dhe qetësinë e komunitetit.


