FLASH :

Video/ Sherr i dhunshëm në McDonald’s në Londër: Klienti kalon mbi banak dhe sulmon stafin

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin tronditës kur një klient i McDonald’s në zonën Acton të Londrës Perëndimore hidhet mbi banak dhe fillon të përleshet me stafin e restorantit.

Ngjarja, e filmuar nga një shofer shpërndarjesh që po priste një porosi, tregon klientin e tërbuar duke hedhur diçka me forcë mbi banak, përpara se të kalojë mbi të dhe të futet në zonën e kuzhinës. Ai synon të godasë një prej punonjësve, ndërsa dy të tjerë përpiqen ta ndalojnë.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit për ta qetësuar, sulmuesi vijon agresionin, duke e shtyrë dhe më pas duke e rrëzuar punonjësin në tokë. Dy anëtarë të tjerë të stafit ndërhyjnë për t’i ndarë, duke e tërhequr klientin zvarrë dhe madje duke e kapur nga bluza që pothuajse i shqyhet gjatë përleshjes.

Në sfond dëgjohen ulërima nga klientët dhe thirrjet e një punonjëseje drejtuar shoferëve të shpërndarjes: “Mund të na ndihmoni, ju lutem? Shoferë, ju lutem, na ndihmoni!”

Një zëdhënës i McDonald’s e cilësoi incidentin si “tërësisht të papranueshëm” dhe tha se kompania ka “zero tolerancë ndaj dhunës dhe sjelljes antisociale”, duke theksuar se po bashkëpunon me policinë për hetimet.

Incidenti ndodh në një kohë kur niveli i krimit në Londër është në rritje, me kryeqytetin britanik të renditur si qyteti i 15-të më i rrezikshëm për krim në Europë, sipas Numbeo Crime Index.