Kryeministri shqiptar Edi Rama ka tërhequr sërish vëmendjen nga një gjest i pazakontë por i përsëritur nga ana e tij, gjatë pritjes së liderëve botërorë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, që u zhvillua sot në Romë.

Siç duket edhe nga pamjet e shpërndara nga mediat italiane, kryeministri Rama përshëndet Melonin duke u gjunjëzuar.
Ky gjest është parë si një shenjë respekti dhe mirënjohjeje, por ka nxitur edhe debate në lidhje me përshtatshmërinë e tij në një ngjarje ndërkombëtare të këtij kalibri. Një pjesë e opinionit ka komentuar se veprimi mund të ishte një shenjë e tepërt, duke e cilësuar si një veprim të panevojshëm, veçanërisht në një kontekst ku liderët e tjerë ndërkombëtarë janë më të rezervuar.
Gjatë ceremonisë së pritjes, Meloni përshëndeti liderët e tjerë të pranishëm, përfshirë Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, Kancelarin gjerman Friedrich Merz, dhe Presidentin çek Petr Pavel, të cilët gjithashtu ishin pjesë e ngjarjes.
Kjo nuk është hera e parë që Rama ulet në gjunjë për Melonin.
Disa muaj më parë kryeministri u gjunjëzua para kryeministres italiane, e cila vizitoi Tiranën në kuadër të Samitit Politik Evropian që u mbajt në vendin tonë.







