Në një kohë kur reality show-t si Big Brother apo Love Island shihen si ekstreme, asgjë nuk i afrohet çmendurisë së “Susunu! Denpa Shonen” – një reality japonez që e la një të ri të zhveshur, të uritur dhe të izoluar për 15 muaj, duke e filmuar në fshehtësi për miliona shikues.
Tamaoki Hamatsu, i njohur si “Nasubi” (që do të thotë patëllxhan), ishte vetëm 22 vjeç kur u fut në një apartament të zbrazët me sfidën për të jetuar vetëm me fitimet nga konkurset me letra që aplikonte nga revista. Pa ushqim, pa rroba, pa ndërveprim njerëzor – vetëm një jastëk i pistë për të mbuluar veten dhe një aparat që filmonte çdo lëvizje të tij.
Por ajo që nuk dinte ishte se e gjithë vuajtja e tij po transmetohej çdo natë për 17 milionë shikues. Producenti Toshio Tsuchiya, një figurë e fuqishme e TV-së japoneze, e mashtronte dhe e manipulonte, duke i thënë se ishte një eksperiment pilot që nuk do transmetohej.
“Ai ishte si një Zot për mua… derisa u kthye në Djall,” rrëfen sot Nasubi në dokumentarin e BBC-së The Contestant.
Për gati një vit, Nasubi hëngri ushqim për qen, fitoi të brendshme grash, dhe shpesh humbi ndjenjat nga uria. Ai mendonte se kishte “rrëmbyer nga alienët” dhe shpesh bënte monologë me veten nga çmenduria.
Producentët vendosën një vizatim patëllxhani për të censuruar zonën intime të tij, dhe çdo episod ishte mbushur me efekte qesharake, zëra komikë dhe titra ironikë – ndërsa ai po shpërbëhej psiqikisht dhe fizikisht.
Kur më në fund arriti objektivin prej 1 milion yenësh (rreth 8,000 dollarë), Tsuchiya e zgjon në mes të natës me fishekzjarrë dhe drita të forta, duke e shokuar plotësisht. Por nuk mbaroi me kaq – e dërgon në Korenë e Jugut për t’i bërë të njëjtën gjë edhe një herë tjetër, pa dijeninë e tij.
Kur më në fund u “çlirua”, Nasubi zbuluar se kishte qenë yll kombëtar, i shikuar nga miliona. I hutuar, ai mendoi se do izolohej sërish dhe u zhvesh instinktivisht kur hyri në një apartament tjetër – derisa muret ranë dhe zbuloi se ishte një studio televizive live.
“E kuptova sa mizorë mund të jenë njerëzit,” tha ai.
Sot, Nasubi është aktivist, dhe përdor përvojën e tij për të ndihmuar të tjerët. Në vitin 2016, ngjiti malin Everest për të rritur ndërgjegjësimin për viktimat e tërmetit në Fukushima, duke thënë se forca që fitoi nga reality show i shërbeu për sfidën.
Ndërsa Tsuchiya, edhe pse ka kërkuar falje dhe e ndihmoi financiarisht për Everestin, vazhdon të jetë i papenduar për realitetin që krijoi. Ai e quan projektin “i jashtëzakonshëm”, por pranon: “Nëse dikush nuk do të jetonte më për shkak të emisionit tim, do e kisha kaluar kufirin.”
“Nëse Nasubi më kërkon të vdes që të gjejë qetësi… ndoshta do e bëja,” thotë ai në dokumentar – por për shumë vetë, ky është vetëm kulmi i një cinizmi të pamëshirshëm mediatik.













