FLASH :

VIDEO/ Rama flet për Lamine Yamal-in dhe çmimet ndërkombëtare, por jo një fjalë për Shqipëri–Serbi: Heshtje e qëllimshme apo strategji politike?

Në rubrikën e tij “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është në garë për të pritur një nga ngjarjet më të mëdha të futbollit europian – Globe Soccer Awards – European Edition, një ceremoni ku jepet çmimi për futbollistin më të mirë të vitit në kontinent. Rama zbuloi se Tirana, Durrësi dhe Vlora janë në diskutim si destinacione të mundshme për organizimin e këtij eventi, ndërsa kandidatët e tjerë janë qytete si Madridi.

“Do ishte fantastike që çmimin e futbollistit më të mirë të vitit, fjala vjen për Lamine Yamal, t’ia japim këtu në Tiranë,” u shpreh Rama me entuziazëm për mundësinë që Shqipëria të presë një yll të Barcelonës dhe futbollit europian.

Por ajo që ra në sy, ishte heshtja e plotë e kryeministrit për ndeshjen Shqipëri–Serbi, një sfidë e ndezur dhe me peshë simbolike për shqiptarët, e cila u luajt pak ditë më parë. Ndërsa gjithë vendi, nga tifozët në stadium tek qytetarët në rrjete sociale, kishte sytë dhe zemrën te kjo ndeshje, Rama – që zakonisht reagon për gjithçka, nga boja e pallateve në Tiranë, te buka me fli – nuk bëri asnjë koment, as para dhe as pas ndeshjes.

Ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgëzoi publikisht Kombëtaren për performancën dhe guximin, Rama zgjodhi të mos shfaqet as në stadiumin “Air Albania”, dhe as në rrjetet e tij sociale, ku u pa të darkonte në Elbasan me Gjergj Lucën dhe reperin Noizy, duke ngrënë peshk, ndërsa Shqipëria përballej me rivalin historik në fushën e lojës.

Strategji për të ulur tonet nacionaliste pas tensioneve? Apo një kalkulim politik për të mos acaruar më tej marrëdhëniet diplomatike në rajon? Në çdo rast, heshtja e Ramës bie në kontrast me stilen e tij të zakonshëm të komunikimit – sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje që prekin emocionin kombëtar.

Në fund, mbetet ironike që kryeministri i një vendi që krenohet me “mikpritjen” e çmimeve ndërkombëtare për futbollistë si Lamine Yamal, nuk gjeti dot as një fjali për djemtë e Kombëtares që mbajtën flamurin kuqezi lart në një nga ndeshjet më të ndjeshme për shqiptarët.