Prej më shumë se dy orësh, në pikën kufitare të Qafë-Thanës janë shënuar radhë të gjata automjetesh, me qytetarë shqiptarë dhe të huaj që presin për të kaluar në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Burime pranë kësaj pike kufitare bëjnë me dije se situata ka ardhur si pasojë e mungesës së personelit të mjaftueshëm në kabinat e kontrollit nga pala maqedonase. Kontrolli kufitar në këtë pikë kryhet në mënyrë të përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj maqedonase, por ngadalësimi i procedurave ka shkaktuar bllokime të njëpasnjëshme.
Udhëtarët raportojnë pritje të gjata nën temperatura të larta, duke shprehur shqetësimin për mungesën e informacionit dhe ritmin e ngadaltë të kalimit.
Autoritetet shqiptare po monitorojnë situatën, ndërsa mbetet për t’u parë nëse pala maqedonase do të rrisë kapacitetet për të normalizuar qarkullimin në një nga pikat më të frekuentuara gjatë sezonit turistik.