FLASH :

Video që tronditi Amerikën, 3 policët grushtojnë pa arsye të riun me ngjyrë

Policia në Jacksonville të Floridës është përballur me një valë kritikash dhe indinjatë publike pasi një video e filmuar me celular u bë virale, duke treguar një oficer të bardhë që godet me grusht një të ri afro-amerikan dhe më pas e tërheq zvarrë nga makina gjatë një ndalese në trafik. Incidenti ndodhi në muajin shkurt, por pamjet u publikuan së fundmi nga avokatët e të riut 22-vjeçar, William McNeil Jr., të cilët e quajnë rast të pastër dhune policore dhe profilizimi racor.

Në video, McNeil – një student universitar dhe muzikant kishe – shihet duke biseduar me një oficer përmes dritares së pasagjerit, ndërsa kërkon të dijë pse është ndaluar. Ai refuzon të japë patentën dhe mbyll derën e makinës, duke kërkuar të flasë me një mbikëqyrës. Në momentin kur policët kërcënojnë se do të thyejnë xhamin, ai e kyç derën. Pak çaste më vonë, njëri prej oficerëve e godet në fytyrë dhe e tërheq zvarrë jashtë mjetit, teksa një tjetër patrullë mbërrin në vendngjarje.

Avokatët e të riut, Ben Crump dhe Harry Daniels, deklaruan se videoja është provë e qartë e përdorimit të forcës së tepruar nga ana e policisë dhe kërkuan shkarkimin e menjëhershëm të oficerit që e goditi. “Sherifi nuk mund ta justifikojë këtë sjellje. Ky veprim nuk përputhet me asnjë politikë, trajnim apo vlerë policore,” u shpreh Crump në një konferencë shtypi.

Ndërkohë, Zyra e Sherifit të Jacksonville pretendon se videoja nuk paraqet të gjithë kontekstin e incidentit. “Po, u përdor forcë, dhe po, ajo forcë duket e shëmtuar – por kjo nuk do të thotë që është e paligjshme,” tha Sherifi TK Waters. Ai shtoi se McNeil ishte paralajmëruar shtatë herë se ishte nën arrest për shkelje të ligjit rrugor – mungesë rripi dhe fenerësh ndezur – dhe nuk pranoi të bashkëpunonte.

Megjithatë, komuniteti lokal dhe aktivistët për të drejtat civile e kanë dënuar ashpër këtë ngjarje, duke theksuar se rasti është shembull i racizmit sistemik dhe brutalitetit policor që vazhdon të prekje veçanërisht personat me ngjyrë në SHBA. Policia nuk ka dhënë ende informacion nëse oficeri në fjalë është pezulluar ose ndëshkuar, ndërsa presioni publik mbi institucionet e zbatimit të ligjit në Florida po rritet.