FLASH :

Video/Punonjësi i OSSH kapet në flagrancë duke marrë ryshfet, shoqërohej nga një i dënuar me “arrest shtëpie”

Policia e Vlorës ka arrestuar punonjësin e OSSH-së, Mario Simoni, pasi dyshohet se ka marrë para për të favorizuar një subjekt privat. Operacioni u zhvillua nën emrin “MATËSI” dhe çoi në pranga edhe Leonard Havarajn, 42 vjeç, i cili ndodhej nën masën “arrest në shtëpi”, por ka shoqëruar Simonin gjatë aktit korruptiv.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 100 euro, 2 celularë dhe 1 automjet. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Si rezultat i operacionit u arrestua për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasi: Mario Simoni, 35 vjeç, me detyrë shef ekipi për lexuesit e matësave të energjisë elektrike, pranë OSSH Vlorë. Ky shtetas u kap në flagrancë duke marrë 100 euro nga një subjekt privat, me qëllim favorizimin për pagesën e energjisë elektrike, nëpërmjet ndërhyrjes në aparatin matës.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Leonard Havaraj, 42 vjeç, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi u konstatua së bashku me shtetasin Mario Simoni, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në kuadër të këtij operacioni, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100 euro, 2 celularë dhe 1 automjet. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë’, njoftoi sot policia.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.