Nga dita në ditë, fushata elektorale e Partisë Socialiste po i ngjan gjithnjë e më shumë një shfaqjeje absurde, ku në vend të ideve dhe vizioneve për Shqipërinë, ofrohen tallje, banalitet dhe fyerje për qytetarët. Rasti më i fundit, ai i Edona Bilalit në Shkodër, është ndoshta më skandalozi.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale – e fshirë më pas në heshtje – kandidatja e PS shfaq një të moshuar në shtratin e vdekjes, i cili, me mundim, shpreh dëshirën e fundit: të votojë për Edona Bilalin më 11 maj. E gjithë skena, e ndërtuar si një spot elektoral me “humor shkodran”, përçon një mesazh të padenjë: se jeta e qytetarit vlen vetëm deri në momentin që i jep votën partisë. Përtej cinizmit dhe mungesës së respektit ndaj dinjitetit njerëzor, ky mesazh është një shpërfaqje e qartë e arrogancës së pushtetit që nuk ka më as frikë e as ndjeshmëri për kufijtë etikë.
Ironikisht, në vend që të kërkojë votë për një program, për një vizion të zhvillimit të Shkodrës apo të vendit, PS zgjedh të luajë me simbolikën e vdekjes, duke e kthyer një akt të shenjtë demokratik si vota në një farsë që përçmon qytetarin. E gjitha kjo është shenjë e një fushate të mbaruar para kohe, të boshatisur nga përmbajtja dhe e mbështetur vetëm mbi makineri propagandistike dhe servilizëm institucional.
Në vend të përgjegjësisë politike dhe përulësisë ndaj qytetarëve, kandidatët e PS – shumica burokratë të administratës – shfaqin përçmim dhe një kulturë propagande të degraduar. Rasti i Bilalit është vetëm maja e ajsbergut. Pothuaj çdo ditë, publiku përballet me spote që ofendojnë inteligjencën e votuesit, video të inskenuara që nënçmojnë realitetin e shqiptarëve dhe arrogancë që i përket më shumë regjimeve se sa demokracive.
Fshirja e menjëhershme e postimit tregon frikën nga përgjegjësia, por edhe mungesën e sinqeritetit: nëse ishte “humor”, pse nuk e mbron dot? Nëse ishte gabim, pse nuk kërkohet falje publike?
Zgjedhjet e 11 majit nuk duhet të jenë thjesht një proces votimi – ato duhet të jenë një reflektim mbi mënyrën sesi politika shqiptare i drejtohet qytetarit. Në këtë fushatë, qytetarët kanë rastin të zgjedhin jo vetëm mes partive, por mes një kulture politike që i nënçmon dhe një tjetër që respekton vlerat dhe dinjitetin e tyre.







