Video/Protestë për dhunë seksuale kthehet në përplasje të dhunshme me policinë

Një protestë e ndezur nga arrestimi i një azilkërkuesi etiopian, i akuzuar për sulm seksual ndaj një 14-vjeçareje, është përshkallëzuar në dhunë të rëndë në qytetin Epping të Essexit. Qindra protestues u mblodhën mbrëmjen e së enjtes jashtë Bell Hotel, që ka funksionuar herë pas here si strehë për emigrantë. Fillimisht protestuesit u shfaqën paqësisht, por më pas u përplasën ashpër me policinë, duke sulmuar tre furgonë të njësive speciale, duke thyer dritaret dhe duke goditur me mjete të forta, shishe dhe fishekzjarre.

Policia njoftoi për një oficer të lënduar lehtë dhe për arrestimin e disa personave, përfshirë Dean Walters, 65 vjeç, i cili është akuzuar për trazira publike. Forcat e rendit nga Essex, Londra dhe Hertfordshire ndërhynë me mbi 180 efektivë për të ndalur përplasjet mes protestuesve anti-emigrantë dhe kundër-protestuesve anti-racistë. Mes protestuesve u panë edhe fëmijë me maska, ndërsa disa individë thërrisnin “smash it” duke goditur furgonët e policisë, ndërkohë që pjesëtarë të tjerë mbanin flamuj të Mbretërisë së Bashkuar dhe St George me parulla “Shpëtoni fëmijët tanë”.

Personi që nxiti protestën, Hadush Gerberslasie Kebatu, 38 vjeç, u arrestua më 8 korrik dhe aktualisht përballet me akuza për tre sulme seksuale, nxitje të një të miture për marrëdhënie seksuale dhe ngacmim pa dhunë. Ai i mohoi akuzat në gjykatë.

Policia e Essex dënoi aktet e dhunës dhe njoftoi se po shqyrton pamjet filmike për të identifikuar përgjegjësit. Shefi i policisë, Simon Anslow, theksoi se “kjo sjellje kriminale nuk përfaqëson komunitetin e Epping” dhe u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Kebatu. Në ditët para protestës, pati përplasje edhe mes grupeve rivale dhe raste të dhunës fizike ndaj rojeve të hotelit dhe të dëmeve ndaj pronës.

Autoritetet kanë vendosur gardh metalik rreth hotelit, ndërsa tensionet në qytet mbeten të larta.