Pavarësisht premtimeve të bujshme për ndërtimin e një flote moderne ajrore dhe tokësore për përballimin e zjarreve, realiteti në terren tregon një pamje krejtësisht ndryshe dhe shqetësuese. Pamjet nga vatrat e zjarrit në jug të vendit tregojnë zjarrfikës e banorë të zonave të prekura që përpiqen të shuajnë flakët me thupra, pa mjete të duhura mbrojtëse dhe pa ndihmë ajrore.
Ndërsa Shqipëria digjet në kulmin e verës dhe dhjetëra hektarë pyje e sipërfaqe të gjelbra janë përfshirë nga flakët, kryeministri Edi Rama, që dikur premtonte ngritjen e një “flote moderne për emergjencat civile”, po hesht përballë dështimit spektakolar të institucioneve në terren.
Në mungesë të helikopterëve të ndërhyrjes së shpejtë dhe mjeteve funksionale zjarrfikëse, banorët në Dukat, Konispol, Selenicë dhe zona të tjera janë braktisur nga shteti, duke u detyruar të mbrojnë pronat dhe jetën me mjete rrethanore si degë pemësh e lopata.
Kjo situatë ka ngjallur zemërim në opinionin publik, ku qytetarët pyesin: “Ku është flota që u premtua? Ku janë investimet për mbrojtjen e jetës dhe mjedisit?” Ndërkohë që zjarret po përparojnë dhe ndihma nga ajri mungon, dështimi i qeverisë për të ndërtuar një sistem funksional emergjencash është kthyer në një komedi tragjike, me pasoja të rënda për mjedisin, turizmin dhe sigurinë e qytetarëve.
Në vend të flotës së premtuar, shteti u ka lënë zjarrfikësve në dorë… thupra. Dhe kjo, për shumëkënd, është fotografia më e qartë e një pushteti që di vetëm të premtojë – por jo të veprojë.