FLASH :

Video/ “Lojrat” në supermarket po kthehen në epidemi: Adoleshentët shqetësojnë klientët dhe stafin për klikime në TikTok

Rritja e “prank”-eve të rrezikshme nga adoleshentët në supermarketet britanike po kthehet në një shqetësim serioz për punonjësit e sigurisë dhe klientët. Kompanitë e sigurisë kanë raportuar një “rritje masive” të sjelljeve antisociale nga grupe të rinjsh që përdorin dyqanet si skenë për video virale në rrjete sociale si TikTok, YouTube dhe Instagram. Nga marrë artikuj nga shportat e blerësve dhe paraqitja si punonjës që “qortojnë” klientë, deri te simulimi i vjedhjes, shtrirja në dysheme me qumësht mbi trup, apo frikësimi i grave me zëra seksualë, videot po përhapen në internet në kurriz të sigurisë publike.

Sipas Kevin Burton, drejtor në Kingdom Security, incidentet po bëhen gjithnjë e më të rënda. Në një rast, një grua e moshuar u përplas nga biçikletat e një grupi të rinjsh që xhironin brenda një dyqani në West Yorkshire. Në një tjetër rast, një influencer u mbyll në tualet për të qëndruar gjatë natës në dyqan. Disa dyqane madje kanë fikur WiFi-n falas për të shmangur grumbullimin e rinisë në ambientet e brendshme. “Kjo është kthyer në një krizë reale për sektorin e shitjes me pakicë,” tha Burton, duke shtuar se shumë nga këta të rinj nuk kanë ambiente për rekreacion për shkak të mungesës së fondeve publike për qendrat rinore dhe mungesës së forcave të policisë.

Në Skoci, thuhet se “prank”-at shfrytëzohen si taktika shpërqendrimi për të ndihmuar shokët që kryejnë vjedhje të mëdha nëpër rafte. Video të shpërndara në TikTok tregojnë skena shqetësuese, përfshirë një rast në Londër ku një djalë i afrohet një gruaje në dyqan dhe lëshon zëra seksualë pranë veshit të saj, duke e frikësuar në mënyrë të dukshme. Në një tjetër video, një punonjës i Primark-it shtyhet të largohet me neveri kur një influencer i fut në fytyrë një palë të brendshme të “ndotura”. Ekspertët e sigurisë i bëjnë thirrje autoriteteve të marrin masa urgjente, pasi fenomeni po dëmton jo vetëm punonjësit dhe klientët, por edhe vetë zinxhirët e shitjes në një kohë kur industria përballet me rritje të vjedhjeve dhe dhunës.