Policia Rrugore e Vlorës ka intensifikuar kontrollet përgjatë segmentit turistik Skelë – Lungomare – Ujë i Ftohtë, në kuadër të masave për sigurinë dhe rendin gjatë sezonit veror. Gjatë kontrolleve janë konstatuar një sërë shkeljesh të rregullave të qarkullimit, ndaj të cilave janë marrë masa konkrete.
Sipas njoftimit zyrtar, janë ndëshkuar 15 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, ndërsa 50 automjete janë konstatuar të parkuara në mënyrë të gabuar, kryesisht në vendkalime këmbësorësh dhe zona të sinjalizuara me tabelë ndalimi. Për këto raste janë vendosur gjoba dhe disa mjete janë zhvendosur me karrotrec, për shkak të bllokimit të qarkullimit.
Gjithashtu, janë marrë 10 masa administrative ndaj mjeteve me xhama të errësuar, që janë në kundërshtim me normat e qarkullimit.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë gjatë gjithë sezonit turistik, për të garantuar siguri maksimale për qytetarët dhe pushuesit në zonat bregdetare të Vlorës.







