FLASH :

Video/Rama i merr Hysenbelliut godinën që ia kishte dhënë vetë, rrethon News 24 me polici pasi s’iu bind urdhrit

Forca të shumta policie janë parë mbrëmjen e sotme duke rrethuar godinën e televizionit News 24. Dëshmitarë nga vendngjarja raportojnë praninë e automjeteve policore dhe efektivëve të armatosur që kanë bllokuar hyrjet dhe daljet e ndërtesës.

Gazetari Osman Stafa ka reaguar ashpër, duke deklaruar:

“News 24 nën diktat. Policia e Shtetit, me urdhër qartazi politik, ka rrethuar televizionin më të ndjekur informativ në Shqipëri. Punonjësit nuk lejohen të hyjnë në redaksi. News 24 nuk i lejohet të hyjë në transmetim të drejtpërdrejtë.”

Sipas burimeve, godina ku ndodhet televizioni është njoftuar prej një viti për t’u liruar, pasi në të pritet të nisë prodhimi i pajisjeve për ushtrinë e shtetit. Megjithatë, televizioni nuk është larguar ende nga ambientet, çka ka çuar në përshkallëzimin e situatës.

Mësohet se konflikti lidhet me pronësinë dhe përdorimin e objektit. Burime mësojnë kryeministri Edi Rama kishte dhënë një afat për largimin nga godina, por pasi ky afat nuk u respektua, janë dërguar forcat e policisë. Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, pronari i televizionit, Irfan Hysenbelliu, po e paraqet veten si viktimë e një veprimi të qëllimshëm ndaj tij.

Policia nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi veprimet e ndërmarra, ndërsa situata mbetet në zhvillim.