FLASH :

Video/Policia kontrollon zhurmat në Shëngjin: Lokalet brenda kufijve të lejuar

Policia e Lezhës ka ushtruar kontrolle në zonën turistike të Shëngjinit për verifikimin e nivelit të zhurmave në ambiente dhe lokale, të hapura dhe të mbyllura. Sipas njoftimit zyrtar, matjet me pajisje speciale kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Gjithashtu, u kryen verifikime për respektimin e fashës orare të muzikës, e cila lejohet nga ora 11:00 deri në 24:00. Strukturat përgjegjëse paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit turistik.

“Në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar disa takime informuese me persona fizikë, të cilët në veprimtaritë e tyre gjenerojnë zhurma nga muzika, kryesisht në zonat turistike. Ka nisur gjithashtu zbatimi i detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror. Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Lezhë, gjatë ditëve të fundit, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonën turistike të Shëngjinit, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës, të përcaktuar në Ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar. Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00. Policia e Lezhës mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët”, njoftoi Policia e Lezhës.