Pamjet që bënë xhiron e rrjeteve sociale, ku një makinë policie kalon pranë një aksidenti pa ndaluar për të ndihmuar të plagosurin, kanë nxitur reagime të shumta dhe zemërim publik. Ngjarja ndodhi të premten në aksin rrugor “Milot–Lezhë”, në afërsi të zonës së njohur si “Ishulli Lezhë”, ku një automjet “Mercedes Benz” përplasi një motor gjatë një manovre të gabuar. Si pasojë, drejtuesi i motorit, shtetasi E. K., mbeti i plagosur dhe u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në reagimin zyrtar, Policia e Lezhës ka deklaruar se automjeti i shërbimit që kaloi pranë vendngjarjes ishte duke transportuar një të paraburgosur me masë sigurie “arrest në burg” drejt burgut të Shënkollit, dhe për këtë arsye nuk mund të ndalonte, për shkak të protokolleve të sigurisë që ndalojnë ndërprerjen e lëvizjes gjatë transportit të të arrestuarve, përveç në raste të veçanta dhe në struktura të përcaktuara.
Pavarësisht shpjegimeve, pamjet kanë ngjallur reagime për mungesën e humanizmit nga ana e Policisë, veçanërisht kur qytetarë të zakonshëm u ndalën për të dhënë ndihmën e parë. Rasti ka rikthyer në vëmendje debatet për etikën dhe prioritetet e Policisë në përballjen me situata emergjente.
KOMUNIKATA E POLICISË SË LEZHËS
Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet policie që kalon pranë një aksidenti rrugor pa ndaluar, në funksion të informimit të saktë të opinionit publik, sqarojmë se:
Automjeti i Policisë që shfaqet në video është i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lezhë, i cili ishte në përmbushje të një detyre zyrtare, duke shoqëruar një shtetas të paraburgosur, me masë sigurie “arrest në burg”, drejt Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shënkoll, Lezhë.
Sipas përcaktimeve të “Manualit për trajtimin e personave të shoqëruar, ndaluar dhe arrestuar në ambientet e Policisë”, ndalimi i mjetit të shërbimit gjatë transportit të personave të arrestuar nuk lejohet për arsye sigurie, përveç rasteve kur ndalohet në ambientet e burgut ose në strukturat përkatëse të Policisë, siç parashikohet nga legjislacioni në fuqi.
Përsa i përket aksidentit rrugor, sqarojmë se në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat janë njoftuar nga Patrulla e Përgjithshme që po transportonte të paraburgosurin drejt IEVP Shënkoll, Lezhë.
Gjithashtu, sqarojmë se drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. K., i dëmtuar gjatë aksidentit rrugor të ndodhur në aksin rrugor “Milot–Lezhë”, në afërsi të zonës së njohur si “Ishulli Lezhë”, u transportua në Spitalin e Traumës, në Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë garanton opinionin publik se vepron me transparencë, përgjegjësi dhe profesionalizëm, në funksion të zbatimit të ligjit dhe ofrimit të një shërbimi cilësor për qytetarët.







