FLASH :

Video/Policia bastis shtëpinë e trashëgimtares naziste, piktura e vjedhur nga babai zhduket dhe zëvendësohet me një tapiceri

Një nga rastet më të bujshme të arteve të plaçkitura nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore ka marrë një tjetër kthesë dramatike në Argjentinë. Policia federale bastisi këtë javë shtëpinë e Patricia Kadgien, vajza e ish-oficerit të SS, Friedrich Kadgien, në qytetin bregdetar Mar del Plata, me shpresën për të sekuestruar një pikturë të çmuar të shekullit XVIII, por në mur gjetën vetëm një tapiceri të varur rishtazi.

Piktura e humbur dhe trashëgimia naziste

Vepra “Portreti i një zonje” nga piktori italian Fra Galgario, e vjedhur gjatë luftës nga art-dealeri hebre Jacques Goudstikker, u pa së fundmi në një shpallje online të një agjencie real-estate, e ekspozuar mbi divan në shtëpinë e Kadgien-it. Por kur hetuesit mbërritën me urdhër gjykate, piktura ishte zhdukur, e zëvendësuar nga një tapiceri me figura kuajsh. Shënjat në mur dhe një grep i mbetur provonin se aty kishte qenë varur një kornizë e madhe.

Friedrich Kadgien, i përshkruar nga hetuesit amerikanë si “një gjarpër i ultë”, ka qenë bashkëpunëtor i afërt i Hermann Göring dhe kishte financuar Luftën e Tretë Rajh përmes grabitjes së artit dhe diamanteve nga tregtarët hebrenj në Holandë. Pas vitit 1945, ai u arratis në Zvicër dhe më pas në Amerikën e Jugut, ku ndërtoi një perandori biznesi deri në vdekjen e tij në vitin 1978.

Hetimi dhe reagimet

Gjatë bastisjes, autoritetet sekuestruan telefona, dy armë pa leje dhe dokumente të viteve ’40, por jo pikturën. Prokurori Carlos Martínez tha për La Nación se “është e qartë se aty kishte diçka tjetër pak kohë më parë”. Edhe pse ngjarja daton që nga Lufta e Dytë Botërore, ekspertët ligjorë theksojnë se nuk ka afat parashkrimi për vepra të lidhura me gjenocidin nazist, dhe trashëgimtarja mund të përballet me akuza për fshehje të kontrabandës.

Agjencia e Trashëgimisë Kulturore të Holandës shprehu zhgënjim që piktura ende nuk është gjetur, duke kujtuar se “qëllimi i punës sonë është të rikthejmë trashëgiminë e grabitur tek pronarët e ligjshëm”. Koleksioni i Goudstikker përmbante mbi 800 vepra arti, nga të cilat mbi 200 janë rikuperuar, por shumë të tjera – përfshirë “Portretin e një zonje” – vazhdojnë të mungojnë.