Me një veshje të pazakontë – maskë dhe shapka – një efektiv i Policisë së Kavajës ka arritur të ndalojë një prej hajdutëve më të kërkuar, i cili ishte arratisur nga Komisariati i Elbasanit në dhjetor të vitit 2024.
Operacioni i koduar “Precedenti” u finalizua me arrestimin e dy personave të dyshuar për vjedhjen e një makine dhe një banese në fshatin Qerret të Kavajës. Njëri prej tyre, i identifikuar si N.L., 29 vjeç, ishte shpallur në kërkim pas arratisjes nga ambientet e policisë në Elbasan, ku mbahej për vjedhje me dhunë. Ai dyshohet se ishte strehuar kohët e fundit në banesën e bashkëpunëtorit të tij, G.Gj., 46 vjeç, me banim në Durrës. Në pranga ranë të dy, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e vjedhjeve të tjera.
Njoftimii Policisë së Durrësit:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Precedenti”. Zbardhen vjedhje të kryera nga 2 shtetas.
Vodhën shuma parash në një banesë dhe në një automjet në një fshat të Kavajës, në pranga 2 autorët e dyshuar.
Njëri prej të arrestuarve, me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve, ishte shpallur në kërkim, pasi në vitin 2024 është larguar nga Komisariati i Policisë Elbasan, ku ishte shoqëruar për një vjedhje.
Sekuestrohen një shumë parash, një automjet, tre celularë dhe veshje të përdorura nga autorët, gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Si rezultat i hetimeve të kryera me objektiv zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale, Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Precedenti”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
N. L., 29 vjeç, banues në Elbasan dhe G. Gj., 46 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet dhe provat e siguruara (përfshirë pamjet filmike), ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur shuma parash në një banesë dhe në një automjet, në fshatin Qerret, Kavajë.
Shtetasi N. L. ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan, pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, në muajin dhjetor 2024, është larguar nga ambientet e DVP Elbasan. Javën e fundit ai dyshohet se është strehuar në banesën e shtetasit G. Gj.
Vijojnë hetimet për të dokumentuar vjedhje të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”.