FLASH :

Video/Po trafikonte 4 klandestinë nga Gjirokastra drejt Malit të Zi për 1500 euro secili, 28-vjeçari me precedentë prangoset te ‘5 Heronjtë e Vigut’

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “By Pass”, duke vënë në pranga një 28-vjeçar të identifikuar si Artur Marku, banues në Tiranë dhe i dënuar më parë për vjedhje. Ai akuzohet se po trafikonte katër emigrantë të paligjshëm drejt Malit të Zi, kundrejt pagesës prej 1500 euro për person.

Sipas policisë, aksioni u zhvillua pranë rrethrrotullimit “5 Heronjtë e Vigut”, ku shërbimet e rendit lokalizuan automjetin tip “Audi” që drejtohej pa leje nga Marku. Brenda tij u gjetën katër emigrantë të ardhur ilegalisht nga Gjirokastra.

“Nga verifikimet rezultoi se i arrestuari iu kishte premtuar transportimin drejt kufirit me Malin e Zi kundrejt pagesës 1500 euro për person”, – njoftoi policia.

Në gjendje të lirë janë proceduar edhe emigrantët, të cilët akuzohen për kalim të paligjshëm të kufirit. Ndërkohë, ndaj Markut rëndojnë akuzat “ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës, që do të ndjekë më tej çështjen.