Një turist nga Jemeni, i cili kishte prenotuar paraprakisht një hotel në Theth për pushime verore, është përballur me një situatë të pazakontë dhe zhgënjyese. Pasi mbërriti në destinacionin malor të shumëreklamuar në veri të Shqipërisë, ai zbuloi se ndërtesa ku do të akomodohej ishte shembur.
Objekti në fjalë ishte një nga ndërtimet e goditura nga aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i cili ka nisur prej disa ditësh shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit. Turisti mbeti pa strehim dhe shprehu zhgënjimin e tij: “E kam prenotuar që para disa muajsh, por tani nuk di ku të shkoj. Askush nuk më njoftoi.”
Rasti ka ngjallur reagime në rrjet, ndërsa ekspertët e turizmit paralajmërojnë për pasojat që këto përplasje shtet–privat, pa paralajmërim dhe pa plan menaxhimi, mund të kenë për imazhin turistik të Shqipërisë.