Momente tensioni u shënuan në zonën e Fulham Broadway, pak minuta pasi përfundoi derbi londinez mes Chelsea dhe Fulham (2-0), kur policia arrestoi një 16-vjeçar të dyshuar për mbajtje të një arme imituese.
Oficerët e policisë ndërhynë rreth orës 14:40, pasi morën njoftime se një adoleshent po shfaqte një armë dhe po ecte drejt një zone të mbushur me tifozë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan momentin kur disa policë e shtrinë të riun përdhe pranë një stacioni metroje, i hoqën një maske nga fytyra dhe i vunë prangat, ndërsa të tjerë kontrolluan çantën e tij.
Thashetheme për “mass shooter”
Raportimet e para në rrjete sociale, të cilat morën mbi 200 mijë shikime brenda gjysmë ore, pretendonin se ishte arrestuar një person i armatosur me qëllim për të kryer një sulm masiv. Por Policia Metropolitane i hodhi poshtë këto pretendime, duke konfirmuar se bëhej fjalë për një armë imituese.
Një zëdhënës i policisë tha:
“Një 16-vjeçar mbetet në paraburgim pasi u arrestua nga oficerët e paarmatosur, nën dyshimin për mbajtje të një arme imituese. Nuk ka të lënduar. Një pistë hetimi është se ai mund të ketë qenë rrugës për një konventë komike.”
Dyshime
Incidenti ndodhi në një ditë kur në Hammersmith po mbahej një konventë anime dhe gaming, e cila mblodhi qindra fansa me kostume të personazheve të fantazisë. Autoritetet po hetojnë nëse adoleshenti kishte veshur pajisje të ngjashme si pjesë e një cosplay.
Ndërkohë, ngjarja ka ngritur shqetësime për mënyrën si armet imituese mund të shkaktojnë panik masiv në zona të mbipopulluara.