Një ngjarje alarmante ka ndodhur në Angli, ku një infermiere 21-vjeçare thuajse mbeti e paralizuar pasi thyen qafën gjatë një akrobacie në palestër – por mjekët në spitalin publik e dërguan në shtëpi, duke e neglizhuar plotësisht dëmtimin e saj serioz. Brooke Bowen, nga Wakefield, pësoi frakturë në shtyllën kurrizore më 22 prill pasi u rrëzua me kokë në një gropë me sfungjerë në një palestër pas stërvitjes së cheerleading, siç duket në videon e publikuar nga vetë ajo.
Pavarësisht dhimbjeve të padurueshme dhe videos si provë, në urgjencën e spitalit Pinderfields mjekët i thanë se dëmtimi “nuk ishte aq traumatik” për të kërkuar ndërhyrje mjekësore. Vetëm pas dy muajsh kërkimesh dhe insistimi, ajo bëri një rezonancë private, ku zbuloi se kishte fraktura në vertebrat C3, C4, C5 dhe C6, me dëmtime që po kompresonin palcën kurrizore. Brenda pak ditësh, Brooke nisi të humbiste ndjesinë në këmbë, nuk mund të kryente nevojat personale dhe përfundoi 10 ditë e shtruar në spital, ku përsëri u trajtua me dyshime dhe shpërfillje.
Sot ajo ecën me vështirësi, ka dobësi në anën e majtë të trupit dhe rrezikon paralizë të plotë në vitet në vijim. Mjekët i kanë thënë se dëmtimi mund të përkeqësohet, ndërsa vetë ajo beson se situata është përkeqësuar vetëm sepse spitali nuk e mori seriozisht që në fillim. “Nëse do të më kishin trajtuar menjëherë, nuk do të isha në këtë gjendje,” thotë ajo. Spitali ka reaguar vetëm tani, duke shprehur “keqardhje” dhe duke e ftuar për një takim. Ndërkohë, Brooke ndjek terapi me ujë dhe përdor karrocë për të dalë nga shtëpia. Rasti i saj ka ngjallur indinjatë mbi sistemin shëndetësor dhe neglizhencën ndaj të rinjve që kërkojnë ndihmë, edhe kur janë vetë profesionistë të shëndetit.


