Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Rio Verde de Mato Grosso, në Brazil, ku një fëmijë vetëm 2 vjeç ka qëlluar për vdekje nënën e tij me një armë zjarri që i përkiste babait. Ngjarja e rëndë është filmuar nga kamerat e sigurisë të vetë familjes, teksa prindërit ndodheshin në verandë, të zënë në bisedë. Pamjet tregojnë momentin kur vogëlushi merr në dorë pistoletën Glock 9mm që ishte lënë mbi tavolinë dhe, pasi luan për disa çaste me të, qëllon drejt nënës së tij, Deborah Rodrigues Monteiro, 27 vjeçe. Ajo u qëllua në gjoks dhe krah dhe, fillimisht, u ngrit në këmbë në gjendje shoku për të parë plagët, por më pas ra në tokë dhe ndërroi jetë ndërsa bashkëshorti përpiqej ta ndihmonte.
Policia ka konfirmuar se bashkëshorti i viktimës, një fermer i cili kishte leje për armën, do të përballet me akuza për vrasje nga pakujdesia, por për momentin do të hetohet në gjendje të lirë. Nuk është bërë ende e qartë nëse atij do t’i lejohet të mbajë fëmijën, apo do të ndërhyjnë shërbimet sociale. Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë shprehur ngushëllimet për familjen dhe indinjatën për mungesën e kujdesit ndaj një arme të rrezikshme pranë një fëmije. Autoritetet kanë sekuestruar armën dhe municionin, ndërsa autopsia është kryer, por rezultatet nuk janë publikuar ende. Ngjarja sjell në vëmendje edhe raste të ngjashme në SHBA, si ai i një gruaje shtatzënë në Ohio, që humbi jetën në qershor të vitit 2023 pasi u qëllua aksidentalisht nga djali i saj 2-vjeçar.

