Tensionet në Theth kanë kulmuar ditën e pestë të aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje, kur një banor hodhi një shishe molotov në drejtim të fadromës së IKMT-së dhe tenti të digjte një urë në lagjen Gjelaj, për të bllokuar kalimin e mjetit.
Pamjet e siguruara nga Report TV tregojnë momentin kur flakët përfshijnë zonën pranë urës dhe mjetit të IKMT, ndërsa forcat speciale të policisë reagojnë me gatishmëri të plotë, të armatosura me kallashnikovë dhe të pajisura me jelekë antiplumb. Për fat të mirë, nuk pati të lënduar, por ura pësoi dëmtime të pjesshme nga zjarri.
Policia njoftoi se autori është ende i paidentifikuar, ndërsa është ngritur grup hetimor për kapjen e tij. Në ndihmë të strukturave lokale janë dërguar 3 mjete me forca të FNSH-së Shkodër, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Ndërkohë, IKMT deklaroi se operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje do të vijojë pa asnjë tolerim, pavarësisht protestave të banorëve që kërkojnë shtyrjen e aksionit përtej sezonit turistik.
Policia apelon që banorët të mos pengojnë veprimet ligjore të strukturave shtetërore, në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit.