Lord Ara Darzi, një nga figurat më të njohura të politikës dhe shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, është bërë viktimë e një grabitjeje të dhunshme në Capri të Italisë, ku ndodhej me pushime. 65-vjeçari, ish-ministër i Shëndetësisë dhe profesor në Imperial College London, po ecte në një rrugicë të ngushtë mes Piazzetta-s dhe Via Camerelle rreth orës 22:30 të së shtunës, kur dy persona iu afruan dhe i rrëmbyen nga krahu një orë luksoze të markës Richard Mille, me vlerë 200 mijë paund.
Pamjet filmike të publikuara në media lokale tregojnë momentin kur një burrë me bluzë të bardhë i afrohet nga pas, i heq orën me forcë dhe largohet me vrap. Një bashkëpunëtor i tij, i veshur me të kuqe, u pa duke ndjekur autorin në drejtim të kopshteve të Augustusit, prej nga më pas dyshja zbriti në Via Krupp dhe hipi në një skaf të vogël të ankoruar në Marina Piccola.
Policia lokale ka nisur hetimet dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët, ndërsa Lord Darzi u shpreh për MailOnline se ndodhej me pushime pas një viti të ngarkuar në NHS. “Ishte një dhuratë nga babai i një pacienti të cilit i shpëtova jetën gjashtë vite më parë”, tha ai. “I këshilloj të gjithë pushuesit britanikë të jenë të kujdesshëm dhe të mos marrin sende të vlefshme me vete”.
Ora e grabitur është një nga modelet më të rralla të Richard Mille – një markë që prodhon vetëm 5,000 copë në vit dhe i shet vetëm individëve me influencë të madhe, si Elon Musk dhe Jay-Z.
Kjo ngjarje vjen vetëm pak javë pas një rasti të ngjashëm në Barcelonë, ku një britanik tjetër u grabit nga dy persona me skuter elektrik ndërsa ndodhej në një Lamborghini, duke humbur një Rolex me vlerë 43 mijë paund.




