Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e arrestimit të Flodian Plakut (3 gusht), ekzekutorit të ish policit Gentian Bejtja, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024, në Larushk të Fushë Krujës.
Në pamje shihet momenti i operacionit policor si dhe koordinimet që bëhen nga efektivet me qëllim kapjen e 42-vjeçarit.
Efektivët e policisë dëgjohen të thonë: “Shpejt shpejt…çuna” dhe në fund thonë se “u kap”.
Në momentin e arrestimit, Floridan Plaku, me 3 identitete, alias Florjan Serjani alias Florjan Mamo, iu është gjetur një pistoletë me një krehër dhe 17 fishekë.
Gjithashtu gjatë operacionit u gjetën e sekuestruan 25 000 euro cash, për të cilat po hetohet burimi i dyshuar kriminal dhe 7 celularë.
42 vjeçari, banues në Vlorë, konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë dhe jashtë saj.
Gjykata e Tiranës me vendimin të datë 26 Korrik 2024, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Ai dyshohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, krim i ndodhur 15 Mars 2024. Shënjestra u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij.
Njoftimi:
Konferencë për shtyp e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Elidon Çela, mbi rezultatet e operacionit policor “ETERNA”, si dhe për rezultatet e punës hetimore dhe policore të ditëve të fundit, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të kryera më parë, në qarkun Vlorë
Përshëndetje dhe faleminderit për praninë dhe vëmendjen tuaj!
Jam sot këtu, së bashku me Zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit, Shefin e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe me efektivë të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, për të ndarë me ju dhe nëpermjet jush, me qytetarët, rezultatet e një pune hetimore proaktive të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë e Vlorës dhe të Tiranës, me qëllim zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në Vlorë, si dhe identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të këtyre ngjarjeve, të cilët përbëjnë një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike.
Si rezultat i angazhimit profesional të strukturave hetimore dhe operacionale, ditët e fundit, në Vlorë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i vrasjes se shtetasit Renato Hoxha, ndodhur më datë 27.04.2025. Konretisht, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e njërit prej autorëve, si dhe pasditen e djshme, gjatë një operacioni të mirorganizuar dhe të një niveli të lartë rrezikshmërie për punonjësit e Policisë, u bë e mundur vënia në pranga e një shtetasi në kërkim, i cili në momentin e kapjes ishte i armatosur me armë zjarri, me fishek në fole gati për qitje. Konkretisht:
Më datë 03.08.2025, pas një pune të mirorganizuar dhe veprimesh të koordinuara mes Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Vlorë dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, në drejtimin e prokurorit të çështjes pranë Prokurorisë së Tiranës, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “ETERNA”, me qëllim kapjen e një shtetasi në kërkim për vrasje, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave që e ndihmonin dhe e strehonin.
Operacioni u zhvillua në ambientet e një hoteli në Orikum, ku u bë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit:
•Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo), 42 vjeç, banues në Vlorë, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë dhe jashtë saj.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin penal nr. 1885, datë 26.07.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Ky shtetas akuzohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, më datë 15.03.2024, i cili u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar te banesa e viktimës, me një automjet tip “Land Rover” dhe pas kryerjes së vrasjes, janë larguar në fshatin Hasan, ku kanë djegur automjetin.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit Flodian Plaku, si dhe në ambientet ku qëndronte, u gjetën dhe u sekuestruan:
•Një armë zjarri pistoletë, me një krehër dhe 17 fishekë;
•25 000 euro cash, për të cilat po hetohet burimi i dyshuar kriminal;
•7 celularë.
Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, së bashku me shtetasin Flodian Plaku, u kap edhe shtetasi Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.
Gjatë hetimeve të thelluara mbi këtë rast, u evidentua se shtetasit A. L, 36 vjeç, banues ne Vlorë, A. D, 31 vjeç banues ne Vlore dhe L. D, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e shtetasit në kërkim Flodian Plaku. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.