Bashkëshortja e ish-pilotit të Formula 1, Jenson Button, Brittny Button, thotë se çifti nuk ka më asnjë interes të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar pasi u bënë viktima të një grabitjeje, ku një person i paidentifikuar vodhi valixhen e saj të dorës që përmbante bizhuteri dhe çanta stilistësh me vlerë rreth 250 mijë paund.
Çifti sapo ishte kthyer nga një udhëtim romantik në Paris dhe mbërritën në stacionin St Pancras në Londër më 13 shkurt 2025, kur ndodhi grabitja.
Brittny, 34 vjeç, tregoi se Jenson, 45 vjeç, po ndihmonte shoferin me bagazhet kur një burrë u afrua papritur dhe u largua me valixhen e saj Goyard brenda pak sekondave.

Ish-modelja e Playboy-it zbuloi se valixhja përmbante dy çanta Hermès Kelly me vlerë rreth 70 mijë paund, si dhe bizhuteri antike me vlerë sentimentale nga martesa e saj dhe lindja e vajzës.
Ajo shtoi se zakonisht nuk do të kishte marrë sende kaq të shtrenjta në një udhëtim të shkurtër, por për shkak të Shën Valentinit kishte vendosur të përfshinte disa objekte më të veçanta.
Përjetimi e la Brittnyn të traumatizuar dhe e detyroi të kthehej menjëherë në Kaliforni, duke thënë se Londra nuk ndihej më e sigurt si dikur. “Gjithçka ndjehej kaotike dhe jo e sigurt”, tregoi ajo për MailOnline. “Jenson është pak më i besueshëm seç duhet, ndaj mendoj se nuk ishte shumë i kujdesshëm”.
Çanta e Jenson ishte ngarkuar në makinë, por në çastin që ai ktheu shpinën për të marrë valixhen e Brittny-t, grabitësi ia doli ta rrëmbejë dhe të largohet pa u vënë re. “E kuptuam vetëm kur Jenson tha: ‘Ku është çanta jote?’ dhe vrapoi ta kërkonte, por ai ishte zhdukur”, tha Brittny.

Ajo shpërtheu në lot nga ajo që e quajti një përvojë “traumatizuese”. “Më erdhi keq për Jenson, por u ndjeva sikur ai nuk bëri sa duhet – edhe pse nuk ishte faji i tij. Ai vetë e kishte pësuar më parë: para disa muajsh i kishin vjedhur valixhen në një parking në Londër.”
Brittny vlerësoi Policinë e Transportit Britanik për reagimin e shpejtë. Autori u identifikua nga pamjet e kamerave të sigurisë dhe u arrestua nga efektivë civilë në zonën Hatton Garden më 17 shkurt.
Mourad Aid, 41 vjeç, pranoi fajësinë për vjedhje në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster më 19 shkurt dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në pritje të dënimit.
Por Brittny pranon se gjasat që të rikuperojë çantën dhe bizhuteritë janë të vogla. Ato ishin listuar për shitje në internet vetëm pak ditë pas vjedhjes. “Pashë fotot e dyshimta të disa burrave që i mbanin çantat e mia në prehër dhe kuptova që nuk do t’i merrja më kurrë”.
Njëra nga çantat Kelly mungonte një rrip, që ajo e kishte lënë në LA – dhe kjo e bëri të sigurt se ishin të sajat.
“Shumë njerëz mendojnë se burri im m’i ka blerë, por gjysmën e tyre i kam blerë vetë, me punën time të ndershme. E dhimbshme të t’i marrin”, u shpreh ajo. “E di që do thonë ‘probleme të botës së parë’, por vlera sentimentale nuk matet me para”.
Ajo shtoi se synonte që këto sende t’ia trashëgonte vajzës së saj. “Unë nuk kam shumë objekte nga prindërit e mi, dhe kjo e bën edhe më të dhimbshme”.
Pas këtij incidenti, që u shtua mbi frikën nga zjarret në Kaliforni që rrezikuan shtëpinë e tyre, Brittny thotë se viti ka nisur keq për ta. Por ndjehet mirënjohëse që grabitja nuk ishte e dhunshme. “Kam ndjesinë se drejtësia u bë, sepse personi do të paguajë për atë që bëri. Në Los Anxhelos ndodh shpesh që kapen dhe lirohen menjëherë”.
