FLASH :

Video/Momenti kur autori afrohet dhe qëllon shtëpinë me armë në Mirditë, një vit pasi i vranë babain

Një vit pas vrasjes së 68-vjeçarit Frederik Radi në Mirditë, familja e tij po përballet me kërcënime të vazhdueshme dhe sulme të armatosura. Vajza e viktimës, Leonora Radi, ka denoncuar se mbrëmjen e 27 korrikut 2025, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri drejt banesës së tyre, ndërsa nëna e saj ndodhej në oborr.

Në një mesazh publik, Leonora deklaron se kanë bërë kallëzim në polici, por autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë për mbrojtjen e familjes apo për arrestimin e autorëve, ndonëse sipas saj ata janë të njohur për drejtësinë që prej vrasjes së babait më 20 gusht 2024.

“Jemi realisht në rrezik dhe ndihma po na mohohet. Kërkojmë që kjo situatë të bëhet publike dhe drejtësia të vihet në vend”, u shpreh Leonora Radi.

Pamjet e kamerave të sigurisë dhe reagimi i mjekut të urgjencës konfirmojnë përmasat e sulmit, ndërsa opinioni publik kërkon hetim të plotë dhe transparencë. Familja Radi e cilëson ngjarjen si një atentat të dytë dhe hakmarrje të strukturuar, ndërsa institucionet vijojnë të heshtin.