Një ngjarje dramatike ka ndodhur të premten në Kanalin e Suezit, kur një anije transportuese jashtë kontrollit u përplas me portin pranë terminalit të tragetit Al Qantara, duke shkaktuar panik mes punëtorëve që vrapuan për të shpëtuar jetën.
Pamjet tronditëse tregojnë anijen e mallrave RED ZED 1, me flamur të Liberisë dhe gjatësi 217 metra, teksa përplaset me portin, pas një “dështimi të papritur në timon”, ndërsa ishte në lundrim drejt Sudanit.
Sipas Autoritetit të Kanalit të Suezit (SCA), përplasja ndodhi pranë zonës El-Balah, por fatmirësisht nuk pati viktima apo të plagosur. Ekuipazhi dhe autoritetet reaguan me shpejtësi, duke shmangur një katastrofë më të madhe.
“Kriza u menaxhua plotësisht brenda 60 minutave,” njoftoi zyrtarisht SCA, ndërsa konfirmoi se tre rimorkiatorë u angazhuan menjëherë për të stabilizuar anijen në kanal. Navigimi ndërkombëtar nuk u ndërpre dhe situata u vendos nën kontroll pa bllokuar trafikun.
Anija pësoi një dëmtim të vogël në pjesën e përparme (prua), një vrimë mbi nivelin e ujit, që po riparohet. RED ZED 1 ka një tonazh bruto prej 41,000 tonësh dhe ishte në udhëtim nga Holanda drejt Sudanit.
Incidenti risjell në vëmendje bllokimin e famshëm të Kanalit në vitin 2021, kur Ever Given, një anije e madhe me flamur të Panamasë, mbeti e bllokuar për gjashtë ditë, duke shkaktuar kaos në tregtinë globale.
Pavarësisht përmasave gjigante të RED ZED 1 dhe rrezikut real, ky episod tregon efektivitetin e sistemit të reagimit të shpejtë të Kanalit të Suezit në parandalimin e një tjetër krize globale detare.



