Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin turistik Tushemisht, Pogradec, ku kryeplaku i fshatit dhe njëherazi shefi i urbanistikës së bashkisë, Ilir Tasellari, është dhunuar fizikisht nga Jetmir Muçllari, pronari i Hotel Driloni, i njohur për zaptimin e hapësirave publike në parkun e Drilonit.
Ngjarja vjen në një kohë kur qeveria ka shpallur një aksion të gjerë për lirimin e hapësirave publike, por në këtë rast duket se situata po përkeqësohet. Aktivitetet e paligjshme të biznesmenit janë denoncuar prej kohësh, pasi ai akuzohet për zgjerim të pandalshëm në hapësirat publike të parkut, përfshirë prishjen e urave, rrethimin dhe bllokimin e kalimeve për qytetarët dhe pronarët e ligjshëm.
Pavarësisht ankesave të shumta dhe evidentimit të situatës nga banorët dhe autoritetet vendore, institucionet shtetërore nuk kanë ndërhyrë për ta zgjidhur problemin. Kjo ka çuar deri në një përplasje fizike, e cila për fat të keq është lënë pa ndëshkim, ndërsa autorët vijojnë të qarkullojnë të lirë.
Përveç kryeplakut, është dhunuar edhe shefi i policisë bashkiake, duke ngritur shqetësimin se në mungesë të shtetit dhe ligjit, qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve po përballen me rrezikun real të vetëgjyqësisë.
Situata në Drilon kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet qendrore për të rikthyer rendin, për të ndaluar zaptimin e hapësirave publike dhe për të mbrojtur sigurinë e banorëve dhe përfaqësuesve lokalë.