FLASH :

VIDEO/ Momenti dramatik kur patronazhistët te Petro Nini që po blinin votat vendosin kapuç dhe ikin me vrap

Një skenë dramatike është filmuar pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, ku disa qytetarë kanë kapur në video një grup personash të lidhur me Partinë Socialiste teksa dyshohen se po kryenin një veprimtari të paligjshme – konkretisht blerje votash.

Ngjarja ka ndodhur pranë një zyre elektorale të PS-së. Sipas dëshmitarëve okularë, qytetarë të zonës kanë pyetur se çfarë po ndodhte brenda ambjentit ku ishin mbledhur disa persona të njohur si patronazhistë, të cilët po shpërndanin ndihma ose dhurata në prag të zgjedhjeve. Kur janë ndjerë të ekspozuar, disa prej tyre kanë reaguar me nervozizëm, duke tentuar fillimisht të mbyllin me shpejtësi derën e zyrës.

Por ajo që ka habitur më shumë ka qenë reagimi i menjëhershëm dhe i pazakontë i një pjese të grupit: disa persona kanë vendosur kapuçët në kokë dhe janë larguar me vrap nga vendngjarja, duke lënë pas dyshime të forta për veprimtari të dyshuar kriminale.

Qytetari që ka realizuar videon dëgjohet duke i thënë personave në fjalë të qëndrojnë në vend, pasi policia ishte njoftuar dhe pritej të mbërrinte për të hetuar situatën. “Pse ikni me vrap nëse s’keni bërë gjë?”, dëgjohet duke thënë ai në video.

Kjo ngjarje i shton dhe më shumë hijet e dyshimit mbi integritetin e procesit zgjedhor, ndërkohë që institucionet përgjegjëse nuk kanë dalë ende me një deklaratë për incidentin.